<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Me ftesë të Departamentit të Historisë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë sot studentët e vitit te tretë, dega Histori patën mundësinë të kenë në auditor lektorin austriak nga Universiteti i Andrassi Budapest , prof. George Kastner. Tema e leksionit ishte “Evropa Qendrore 1848-2008 dhe lidhjet historike mes rajonit", dhe ngjalli mjaft interesin e studentëve dhe lektorëve të pranishëm. Auditori pati një leksion interaktiv me diskutime nga studentët edhe mbi ngjashmeritë e rastit hungarez dhe atij shqiptar në modernitet.
Në datën 6 Nëntor 2018, në ambientet e Fakultetit të Historisë e të Filologjisë së UT-së, studentët e Degës së Historisë së të tre niveleve, ndoqën një leksion të hapur nga Ambasadori i Republikës së Turqisë z. Murat Ahmet Yörük. Fokus i leksionit ishte “Politika e jashtme e Turqisë në erën globale”. Me eksperiencën e shkëlqyer si mësimdhënës, z. Yörük pati interesin e studentëve të historisë që i drejtuan pyetje rreth temave të diskutuara. Ambasadori ndaloi veçanërisht në politikën turke në drejtim të zgjidhjes së krizës humanitare (rasti i refugjatëve sirianë), si dhe në krijimin e Komisionit të Lartë me ekspertë turq e shqiptarë, qè e kthen vendin në partner strategjik të Turqisë. Ky aktivitet pati mbështetjen e dekanit Prof. dr. Sabri Laçi dhe zv/dekanit Prof. asoc.Ermal Baze. Aktiviteti u moderua nga Shefja e Departamentit të Historisë, Prof.asoc. Eva Tafili. Gjithashtu Ambasadori Yörük u prit në dekanat, ku së bashku me Dekanin Prof. dr. Sabri Laçi, zv/dekanin Prof. asoc. Ermal Baze, Shefen e Departamentit të Historisë Prof. asoc. Eva Tafili dhe pedagogen Prof. asoc. Lindita Xhanari, diskutoi mbi rëndësinë e bashkëpunimeve në nivel universitar dhe nevojën e forcimit të tyre.
Nga dt. 9 – 22 qershor 2018, Departamenti i Historisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilloi ciklin e ekspeditave mësimore në qendra muzeore dhe site historike e arkeologjike të vendit, në kuadër të programi mësimor të sistemit Bachelor. Ekspeditat kishin për qëllim njohjen nga afër të studentëve me dëshmitë historike dhe trashëgiminë kulturore të popullit tonë përgjatë shekujve. Me këtë rast, i shprehim falenderime Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e vizitave të studentëve tanë në institucionet e trashëgimisë kulturore të vendit.
Me rastin e 100 vjetorit të Republikës së Azerbajxhanit në datën 22.05.2018 në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë u mbajt një leksion nga i ngarkuari me punë i Republikës së Azerbajxhanit z. Eldar Aliyev me temë “Historia e Republikës Demokratike të Azerbajxhanit në vitet 1918- 1920”. Takimi u përshëndet nga dekani i FHF, Prof.dr. Sabri Laçi dhe zv.rektori i Universitetit të Tiranës, Dr. Gentiana Kera. Pas z. Aliyev, studiuesja e historisë Entela Muça foli për “100 vite pavarësi të Azerbajxhanit – histori suksesi”. Aktiviteti u ndoq me shumë interes nga pedagogët dhe studentët e degës së Historisë, të cilët morën pjesë në diskutime dhe pyetje rreth kësaj teme. Ky aktivitet është edhe një mundësi e bashkëpunimit të mëtejshëm arsimor mes dy vendeve.
Në ditën e parë të Shkollës Dimërore, "Lidhjet austro-shqiptare", 25 studentë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, por dhe të fakulteteve të tjera të Universitetit të Tiranës ndoqën leksionet e programuara të shkollës. Në ceremoninë e hapjes morën fjalën përshëndetëse Dekani i FHF, Prof. Dr Sabri Laçi, Ambasadori i Republikës së Austrisë, Dr. Johann Sattler si dhe Shefja e Departamentit të Historisë, Prof. Dr. Asoc. Eva Hyskaj, të cilët pasqyruan bashkëpunimin shkencor midis Fakultetit, Departamentit të Historisë dhe Ambasadës së Austrisë në Tiranë në kuadër edhe të Vitit Austri-Shqipëri, që Ministria e Jashtme austriake ka shpallur 2018.
Në kuadër të leksioneve, Dr. Enriketa Papa-Pandelejmoni lektoroi mbi “Politikën dhe Interesat austro-hungareze në trevat shqiptare gjatë shek. XIX-1918” si dhe mbi “Marrëdhëniet diplomatike Austri-Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit”. Ndërsa Dr. Kurt Gostentschnigg lektoroi mbi tematikën e “Shkenca mids Politikës dhe Ushtrisë. Albanologjia austro-hungareze 1867-1918/Wissenschaftim Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918”, tematikë e zgjeruar imtësisht edhe në botimin e fundit të Dr. Gostenschnigg po me të njëjtin titull.
Këtë javë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në kuadër të projektit "Kërkimi shkencor në kuadër të një shoqërie dinamike" ishin të ftuara Prof. Christina Kuoulouri nga Universiteti Panteon i Athinës dhe Prof.Dubravka Stojanovic nga Universiteti i Beogradit. Prof.Koulouri prezantoi temën me titull "Çarmatosja e historisë në Ballkan: Mësimdhenia e ngjarjeve traumatike dhe ceshtjeve te mprehta. Ndërsa Prof.Stojanovic prezantoi temen"Si mund të ndihmojë në pajtimin etnik, mësimdhenia e historisë në ish-Jugosllavi".