<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë organizoi ditën e enje, datë 15.11.2018, ora 12:00, në “Amfiteatrin e Tiranës”, (Teatri i Hapur) Parku i Madh i Liqenit Tiranë, Ceremoninë e Diplomimit të Studentëve për vitin akademik 2017-2018, të ciklit të parë Bachelor dhe ciklit të dytë Master.
U zhvillua në datat 1 – 2 nëntor në ambientet e Pallatit të Kongreseve sesioni përmbyllës i Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike (9 maj – 2 nëntor, 2018) kushtuar 550 – vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kohës në të cilën jetoi dhe gjurmëve që la në histori. Të pranishëm dhe pjesëmarrës në sesionin përmbyllës ishin personalitete të njohura të fushës akademike, studiues vendës dhe të huaj (nga Italia, Greqia, Maqedonia, USA dhe Kina), si dhe mjaft studentë të Departamentit të Historisë, nga të dy ciklet e studimit (Bachelor: viti I, II, III, Master i Shkencave në Histori: viti II dhe Master Profesional Arkivistikë: viti II). Nën kujdesin e dekanit të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, prof. dr. Sabri LAÇI, fakulteti ynë u përfaqësua nga studiues dhe pedagogë të Departamentit të Historisë dhe Departamentit të Letërsisë.
Nga dt. 9 – 22 qershor 2018, Departamenti i Historisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilloi ciklin e ekspeditave mësimore në qendra muzeore dhe site historike e arkeologjike të vendit, në kuadër të programi mësimor të sistemit Bachelor. Ekspeditat kishin për qëllim njohjen nga afër të studentëve me dëshmitë historike dhe trashëgiminë kulturore të popullit tonë përgjatë shekujve. Me këtë rast, i shprehim falenderime Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e vizitave të studentëve tanë në institucionet e trashëgimisë kulturore të vendit.
Me rastin e 100 vjetorit të Republikës së Azerbajxhanit në datën 22.05.2018 në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë u mbajt një leksion nga i ngarkuari me punë i Republikës së Azerbajxhanit z. Eldar Aliyev me temë “Historia e Republikës Demokratike të Azerbajxhanit në vitet 1918- 1920”. Takimi u përshëndet nga dekani i FHF, Prof.dr. Sabri Laçi dhe zv.rektori i Universitetit të Tiranës, Dr. Gentiana Kera. Pas z. Aliyev, studiuesja e historisë Entela Muça foli për “100 vite pavarësi të Azerbajxhanit – histori suksesi”. Aktiviteti u ndoq me shumë interes nga pedagogët dhe studentët e degës së Historisë, të cilët morën pjesë në diskutime dhe pyetje rreth kësaj teme. Ky aktivitet është edhe një mundësi e bashkëpunimit të mëtejshëm arsimor mes dy vendeve.
Si pjesë e projektit të përbashkët të Departamentit të Historisë dhe Perform Helvetas të titulluar "Kërkimi shkencor në kuadër të një shoqërie dinamike", në datën 22 shkurt është organizuar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë leksioni i profesorit dhe historianit të njohur Bernd Fischer. Profesor Fischer prezantoi temën "Sfidat metodologjike në trajtimi e historisë së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri". Leksioni u ndoq me interes nga studentë e pedagogë të FHF.
Në ditën e parë të Shkollës Dimërore, "Lidhjet austro-shqiptare", 25 studentë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, por dhe të fakulteteve të tjera të Universitetit të Tiranës ndoqën leksionet e programuara të shkollës. Në ceremoninë e hapjes morën fjalën përshëndetëse Dekani i FHF, Prof. Dr Sabri Laçi, Ambasadori i Republikës së Austrisë, Dr. Johann Sattler si dhe Shefja e Departamentit të Historisë, Prof. Dr. Asoc. Eva Hyskaj, të cilët pasqyruan bashkëpunimin shkencor midis Fakultetit, Departamentit të Historisë dhe Ambasadës së Austrisë në Tiranë në kuadër edhe të Vitit Austri-Shqipëri, që Ministria e Jashtme austriake ka shpallur 2018.
Në kuadër të leksioneve, Dr. Enriketa Papa-Pandelejmoni lektoroi mbi “Politikën dhe Interesat austro-hungareze në trevat shqiptare gjatë shek. XIX-1918” si dhe mbi “Marrëdhëniet diplomatike Austri-Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit”. Ndërsa Dr. Kurt Gostentschnigg lektoroi mbi tematikën e “Shkenca mids Politikës dhe Ushtrisë. Albanologjia austro-hungareze 1867-1918/Wissenschaftim Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918”, tematikë e zgjeruar imtësisht edhe në botimin e fundit të Dr. Gostenschnigg po me të njëjtin titull.