<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Pedagogë të fakultetit tonë morën pjesë në Kongresin II të Studimeve Osmane, që i zhvilloi punimet më 17– 20 tetor 2018, në Tirana Internacional Hotel, në Tiranë. Kongresi erdhi si rezultat i bashkëpunimit të Departamentit të Historisë së Fakultetit të Historisë e të Filologjisë me Departamentin e Historisë të Universitetit të Sakarjas dhe Institutin e Historisë Turke në Turqi. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Ambasadori i Republikës së Turqisë Murat Ahmet Yörük, Drejtori i Institutit të Historisë Turke në Ankara Prof. dr. Refik Turan, personalitete shkencore dhe studiues të ardhur nga 12 vende të ndryshme të botës.
Në datat 25.04.18-29.04.18, një grup studentësh dhe lektorësh të Departamenteve Histori dhe Arkeologji e Trashëgimi Kulturore, zhvilluan një vizitë studimore në Universitetin Aristoteli të Selanikut, Greqi. Vizita u mbështet nga Ambasada e Republikës së Greqisë në Shqipëri, nën kujdesin e veçantë të z. Antonis Papamalis.
Gjatë vizitës katër ditore, studentët patën rastin të vizitojnë site të ndryshme historike dhe arkeologjike të Selanikut. Vizita e tyre nisi me sitin arkeologjik të Vergines Aigai, Varri i Filipit të II-të. Më pas studentët vizituan Muzeun Arkeologjik të Selanikut dhe atë të periudhës bizantine. Dita e tretë e vizitës së tyre ishte në ambientet e Universitetit Aristoteli të Selanikut, Fakulteti i Filozofisë dhe ambientet e Bibliotekës së Departamentit të Historisë dhe Arkeologjisë.
Ndërkaq, lektoret e shoqëruar nga profesoresha e Historisë Moderne, znj Eleftheria Manta (e cila ishte pjesë integrale e gjithë vizitës studimore përgjatë gjithë kohës me ekspertizën e saj), u takuan me dekanin e Fakultetit të Filozofisë z. Dimitrios Mavroskoufis dhe me shefin e departamentit të Historisë dhe Arkeologjisë, z. Emmanouil Voutyra. Studentet patën rastin të vizitojnë edhe muzetë e brendshëm të Fakultetit të Filozofisë si edhe muzeun arkeologjik dhe atë etnografik, të Universitetit Aristoteli. Udhëtimi u përmbyll me vizitat në Torren Veneciane dhe në Kalanë e Selanikut.
Në ambientet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë u mbajt sot ligjërata me temë “Media, gazetaria, demokracia dhe transformimi i opinionit publik” nga dr. Wiebke Loosen (Instituti për Kërkimin në Media “Hans Bredow”, Hamburg). Ky takim u moderua nga prof. dr. Artan Fuga. Pjesë e panelit të diskutimit ishin Kryetari i Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) z. Gentian Sala si edhe eksperti i medias z. Lutfi Dervishi, ndërsa fjalën përshëndetëse e mbajti Dekani i Fakultetit prof.dr. Sabri Laçi.
Dr. Wiebke Loosen theksoi funksionin integrues të medias, ku nga njëra anë ka për detyrë të mbledhë dhe të shpërndajë temat e nga ana tjetër i duhet të mundësojë pluralizmin e mendimeve në një mjedis, ku flukset janë të pakufishme;
Media dhe gazetaria - theksoi dr. Wiebke Loosen zhvillohen varësisht kushteve, ku ato operojnë. Një sistem mediatik kushtëzohet nga politikat e vendit ku ndodhet dhe nga kushtet sociale, kulturore të popullsisë së atij vendi. Pra, media gjermane – vijoi ajo, operon varësisht kushteve të Gjermanisë dhe nuk mund të implementohet njësoj sin ë Shqipëri.
Një pikë tjetër e rëndësishme ku dr. Loosen u ndal ishte edhe trajtimi i tendencave të qeverive për të futur në dorë mediat. Ajo përmendi rastin e blerjes së grupit “Dogan” nga njerëz të afërt të Erdoganit, apo edhe rasti i Wechat në Kinë, ku shteti është në dijeni të çdo komunikimi.
Në fund dr. Loosen u ndal te gazetaria investigative, e cila është e vështirë për t`u zhvilluar në kushtet ku operojmë. Gazetaria e sotme është ajo e deklamimit dhe përcjelljes ashtu siç janë të njoftimeve dhe deklaratave për media.