<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Në datën 05. 11. 2018 studentët e vitit të parë Bachelor, të degës së Historisë, në fakultetin tonë, patën një leksion të hapur me profesorin e shquar shqiptaro – amerikan, Nikolla Pano. Leksioni pati në fokus vlerën e historisë si shkencë në shoqëritë teknologjike. Interesi i studentëve ishte i madh për tema si: diaspora shqiptare e Amerikës, organizimi dhe kontributi i saj në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, figurat dhe personalitetet më të rëndësishme të saj etj. Gjithashtu, interes dhe pyetje nga studentët pati edhe në lidhje me politikën e jashtme të presidentit amerikan, Donald John Trump.
Përpara fillimit të leksionit prof. Nikolla Pano zhvilloi takimin e mirëseardhjes me dekanin e FHF – së, prof. dr. Sabri Laçi.
U zhvillua në datat 1 – 2 nëntor në ambientet e Pallatit të Kongreseve sesioni përmbyllës i Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike (9 maj – 2 nëntor, 2018) kushtuar 550 – vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kohës në të cilën jetoi dhe gjurmëve që la në histori. Të pranishëm dhe pjesëmarrës në sesionin përmbyllës ishin personalitete të njohura të fushës akademike, studiues vendës dhe të huaj (nga Italia, Greqia, Maqedonia, USA dhe Kina), si dhe mjaft studentë të Departamentit të Historisë, nga të dy ciklet e studimit (Bachelor: viti I, II, III, Master i Shkencave në Histori: viti II dhe Master Profesional Arkivistikë: viti II). Nën kujdesin e dekanit të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, prof. dr. Sabri LAÇI, fakulteti ynë u përfaqësua nga studiues dhe pedagogë të Departamentit të Historisë dhe Departamentit të Letërsisë.
Pedagogë të fakultetit tonë morën pjesë në Kongresin II të Studimeve Osmane, që i zhvilloi punimet më 17– 20 tetor 2018, në Tirana Internacional Hotel, në Tiranë. Kongresi erdhi si rezultat i bashkëpunimit të Departamentit të Historisë së Fakultetit të Historisë e të Filologjisë me Departamentin e Historisë të Universitetit të Sakarjas dhe Institutin e Historisë Turke në Turqi. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Ambasadori i Republikës së Turqisë Murat Ahmet Yörük, Drejtori i Institutit të Historisë Turke në Ankara Prof. dr. Refik Turan, personalitete shkencore dhe studiues të ardhur nga 12 vende të ndryshme të botës.