<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Sot në ambientet e FHF, me studentët e historisë, lektorja e Universitetit Aristoteli të Selanikut, prof.as.dr. Eleftheria Mantha. Një temë tejet interesante; “Iluminizmi grek në prag të Revolucionit të 1821-shit”, ngjalli kërshërinë e studentëve dhe pedagogëve të pranishëm.
Në datën 05. 11. 2018 studentët e vitit të parë Bachelor, të degës së Historisë, në fakultetin tonë, patën një leksion të hapur me profesorin e shquar shqiptaro – amerikan, Nikolla Pano. Leksioni pati në fokus vlerën e historisë si shkencë në shoqëritë teknologjike. Interesi i studentëve ishte i madh për tema si: diaspora shqiptare e Amerikës, organizimi dhe kontributi i saj në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, figurat dhe personalitetet më të rëndësishme të saj etj. Gjithashtu, interes dhe pyetje nga studentët pati edhe në lidhje me politikën e jashtme të presidentit amerikan, Donald John Trump.
Përpara fillimit të leksionit prof. Nikolla Pano zhvilloi takimin e mirëseardhjes me dekanin e FHF – së, prof. dr. Sabri Laçi.
U zhvillua në datat 1 – 2 nëntor në ambientet e Pallatit të Kongreseve sesioni përmbyllës i Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike (9 maj – 2 nëntor, 2018) kushtuar 550 – vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kohës në të cilën jetoi dhe gjurmëve që la në histori. Të pranishëm dhe pjesëmarrës në sesionin përmbyllës ishin personalitete të njohura të fushës akademike, studiues vendës dhe të huaj (nga Italia, Greqia, Maqedonia, USA dhe Kina), si dhe mjaft studentë të Departamentit të Historisë, nga të dy ciklet e studimit (Bachelor: viti I, II, III, Master i Shkencave në Histori: viti II dhe Master Profesional Arkivistikë: viti II). Nën kujdesin e dekanit të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, prof. dr. Sabri LAÇI, fakulteti ynë u përfaqësua nga studiues dhe pedagogë të Departamentit të Historisë dhe Departamentit të Letërsisë.
Më datë 30.10.2018, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të UT-së u prezantua Moduli “Arkivi online”, i cili mundëson që çdo dokument të shfrytëzohet nga kompjuteri apo celulari i gjithsecilit.
Nga dt. 9 – 22 qershor 2018, Departamenti i Historisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilloi ciklin e ekspeditave mësimore në qendra muzeore dhe site historike e arkeologjike të vendit, në kuadër të programi mësimor të sistemit Bachelor. Ekspeditat kishin për qëllim njohjen nga afër të studentëve me dëshmitë historike dhe trashëgiminë kulturore të popullit tonë përgjatë shekujve. Me këtë rast, i shprehim falenderime Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e vizitave të studentëve tanë në institucionet e trashëgimisë kulturore të vendit.
Në datën 25 Maj në Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë se Kulturës u organizua Workshop me temë ‘Trashëgimia Kulturore e Diktaturës: Një zgjerim i Debatit ’. Nëpermjet tij synuam të sjellim në mjedisin akademik të gjitha grupet e interesit të lidhura me këtë çështje për të evidentuar problematikat kryesore dhe qasjet e ndryshme ndaj tyre. Përfaqësues të debatit publik, organizatave jo-qeveritare, Ministrisë së Kulturës dhe botës akademike diskutuan lidhur me gjendjen e sotme të kësaj kategorie të Trashëgimisë së Kulturës dhe gjithë perspektivat lidhur me studimin, ruajtjen dhe promovimin e saj.
Këtë javë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në kuadër të projektit "Kërkimi shkencor në kuadër të një shoqërie dinamike" ishin të ftuara Prof. Christina Kuoulouri nga Universiteti Panteon i Athinës dhe Prof.Dubravka Stojanovic nga Universiteti i Beogradit. Prof.Koulouri prezantoi temën me titull "Çarmatosja e historisë në Ballkan: Mësimdhenia e ngjarjeve traumatike dhe ceshtjeve te mprehta. Ndërsa Prof.Stojanovic prezantoi temen"Si mund të ndihmojë në pajtimin etnik, mësimdhenia e historisë në ish-Jugosllavi".