<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Në datën 6 Nëntor 2018, në ambientet e Fakultetit të Historisë e të Filologjisë së UT-së, studentët e Degës së Historisë së të tre niveleve, ndoqën një leksion të hapur nga Ambasadori i Republikës së Turqisë z. Murat Ahmet Yörük. Fokus i leksionit ishte “Politika e jashtme e Turqisë në erën globale”. Me eksperiencën e shkëlqyer si mësimdhënës, z. Yörük pati interesin e studentëve të historisë që i drejtuan pyetje rreth temave të diskutuara. Ambasadori ndaloi veçanërisht në politikën turke në drejtim të zgjidhjes së krizës humanitare (rasti i refugjatëve sirianë), si dhe në krijimin e Komisionit të Lartë me ekspertë turq e shqiptarë, qè e kthen vendin në partner strategjik të Turqisë. Ky aktivitet pati mbështetjen e dekanit Prof. dr. Sabri Laçi dhe zv/dekanit Prof. asoc.Ermal Baze. Aktiviteti u moderua nga Shefja e Departamentit të Historisë, Prof.asoc. Eva Tafili. Gjithashtu Ambasadori Yörük u prit në dekanat, ku së bashku me Dekanin Prof. dr. Sabri Laçi, zv/dekanin Prof. asoc. Ermal Baze, Shefen e Departamentit të Historisë Prof. asoc. Eva Tafili dhe pedagogen Prof. asoc. Lindita Xhanari, diskutoi mbi rëndësinë e bashkëpunimeve në nivel universitar dhe nevojën e forcimit të tyre.
Më 15.10.2018, në IAL-të e Republikës së Shqipërisë nisi viti i ri akademik. Për të përshëndetur studentët dhe stafet akademike në këtë ditë të shënuar, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të UT-së erdhi Znj. Lindita NIKOLLA, Ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë dhe Prof. dr. Mynyr KONI, Rektor i Universitetit të Tiranës.
Nga dt. 9 – 22 qershor 2018, Departamenti i Historisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilloi ciklin e ekspeditave mësimore në qendra muzeore dhe site historike e arkeologjike të vendit, në kuadër të programi mësimor të sistemit Bachelor. Ekspeditat kishin për qëllim njohjen nga afër të studentëve me dëshmitë historike dhe trashëgiminë kulturore të popullit tonë përgjatë shekujve. Me këtë rast, i shprehim falenderime Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e vizitave të studentëve tanë në institucionet e trashëgimisë kulturore të vendit.