<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Në datën 05. 11. 2018 studentët e vitit të parë Bachelor, të degës së Historisë, në fakultetin tonë, patën një leksion të hapur me profesorin e shquar shqiptaro – amerikan, Nikolla Pano. Leksioni pati në fokus vlerën e historisë si shkencë në shoqëritë teknologjike. Interesi i studentëve ishte i madh për tema si: diaspora shqiptare e Amerikës, organizimi dhe kontributi i saj në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, figurat dhe personalitetet më të rëndësishme të saj etj. Gjithashtu, interes dhe pyetje nga studentët pati edhe në lidhje me politikën e jashtme të presidentit amerikan, Donald John Trump.
Përpara fillimit të leksionit prof. Nikolla Pano zhvilloi takimin e mirëseardhjes me dekanin e FHF – së, prof. dr. Sabri Laçi.
Nga dt. 9 – 22 qershor 2018, Departamenti i Historisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilloi ciklin e ekspeditave mësimore në qendra muzeore dhe site historike e arkeologjike të vendit, në kuadër të programi mësimor të sistemit Bachelor. Ekspeditat kishin për qëllim njohjen nga afër të studentëve me dëshmitë historike dhe trashëgiminë kulturore të popullit tonë përgjatë shekujve. Me këtë rast, i shprehim falenderime Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e vizitave të studentëve tanë në institucionet e trashëgimisë kulturore të vendit.
Me rastin e 100 vjetorit të Republikës së Azerbajxhanit në datën 22.05.2018 në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë u mbajt një leksion nga i ngarkuari me punë i Republikës së Azerbajxhanit z. Eldar Aliyev me temë “Historia e Republikës Demokratike të Azerbajxhanit në vitet 1918- 1920”. Takimi u përshëndet nga dekani i FHF, Prof.dr. Sabri Laçi dhe zv.rektori i Universitetit të Tiranës, Dr. Gentiana Kera. Pas z. Aliyev, studiuesja e historisë Entela Muça foli për “100 vite pavarësi të Azerbajxhanit – histori suksesi”. Aktiviteti u ndoq me shumë interes nga pedagogët dhe studentët e degës së Historisë, të cilët morën pjesë në diskutime dhe pyetje rreth kësaj teme. Ky aktivitet është edhe një mundësi e bashkëpunimit të mëtejshëm arsimor mes dy vendeve.
Në datat 25.04.18-29.04.18, një grup studentësh dhe lektorësh të Departamenteve Histori dhe Arkeologji e Trashëgimi Kulturore, zhvilluan një vizitë studimore në Universitetin Aristoteli të Selanikut, Greqi. Vizita u mbështet nga Ambasada e Republikës së Greqisë në Shqipëri, nën kujdesin e veçantë të z. Antonis Papamalis.
Gjatë vizitës katër ditore, studentët patën rastin të vizitojnë site të ndryshme historike dhe arkeologjike të Selanikut. Vizita e tyre nisi me sitin arkeologjik të Vergines Aigai, Varri i Filipit të II-të. Më pas studentët vizituan Muzeun Arkeologjik të Selanikut dhe atë të periudhës bizantine. Dita e tretë e vizitës së tyre ishte në ambientet e Universitetit Aristoteli të Selanikut, Fakulteti i Filozofisë dhe ambientet e Bibliotekës së Departamentit të Historisë dhe Arkeologjisë.
Ndërkaq, lektoret e shoqëruar nga profesoresha e Historisë Moderne, znj Eleftheria Manta (e cila ishte pjesë integrale e gjithë vizitës studimore përgjatë gjithë kohës me ekspertizën e saj), u takuan me dekanin e Fakultetit të Filozofisë z. Dimitrios Mavroskoufis dhe me shefin e departamentit të Historisë dhe Arkeologjisë, z. Emmanouil Voutyra. Studentet patën rastin të vizitojnë edhe muzetë e brendshëm të Fakultetit të Filozofisë si edhe muzeun arkeologjik dhe atë etnografik, të Universitetit Aristoteli. Udhëtimi u përmbyll me vizitat në Torren Veneciane dhe në Kalanë e Selanikut.
Në kuadër të projektit Erasmus+ për mobilitet të stafit akademik, në Departamentin e Gjeografisë nga data 11 Prill – 13 Prill 2018, Profesor John Kiousopoulos nga Universiteti i West Attica, Greqi. Ai ka nje karrierre të gjatë në mësimdhënie dhe veprimtari shkencore, si: Arkitekt Inxhinier, Planifikues Urban dhe Hapësinor, Inxhinierik, Shef i Laboratorit të Analizës Hapësinore, Anëtar i Bordit të Shoqatës së Planifikuesve Urbanë dhe Rajonal të Greqisë. Ishte një bashkëpunim i suksesshëm, ku studentët ishin shumë të interesuar dhe aktiv gjatë trajtimit të tematikave të trajtuara në leksione të zhvilluara në ciklin e studimeve Bachelor, Master Profesional dhe Master Shkencor. Program axhenda dhe tematikat e zhvilluara në leksione si mëposhtë:
“Urban Planning” – 11 Prill 2018
“Calculating Human Impact Along Coastal Areas” – 11 Prill 2018
“Marine Spatial Planning”- 12 Prill 2018
“Spatial Planning” - 13 Prill 2018
Përtej bashkëpunimit tonë të përgjithshëm shkencor, u shqyrtuan mundësi zgjerimi për hulumtime (dokumente / projekte të përbashkëta).
Në fjalën e hapjes Dekani i FHF, prof.dr. Sabri Laci vlerësoi figurën e Elena Gjikës si dhe botimin në shqip të “Shqiptarët në Rumani” duke theksuar faktin se ky libër është një kontribut i rëndësishëm për njohjen e periudhës së Rilindjes, jashtë kufijve.
Ambasadori i Rumanisë në Republikën e Shqipërisë Sh.T.Z. Mircae Perpelea, në fjalën e tij theksoi konsideratën e lartë që ka populli rumun për familjen e njohur të Gjikajve, si edhe bashkëpunimin e madh kulturor mes dy popujve. Ai përmendi që kjo familje ka nxjerrë 25 drejtues të lartë politikë gjatë Rilindjes dhe ka kontribuar fuqishëm në vetëdijen kombëtare rumune. Po ashtu, ambasadori Pirpelea shprehu vlerësimet e larta për Elena Gjikën, intelektualen e dimensionit evropian të shek. XIX.
Prof.as.dr. Eva Hyskaj në analizën e saj për librin theksoi se Arkitektura e punimit e konceptuar me 9 krerë në një vëllim prej 355 faqesh harmonizohet në mënyrë dinamike në funksion të evidentimit të modelit politik dhe administrativ që përfaqësonin principatat e vllahisë e moldavisë për t’u lidhur me mekanizmat shtytës të këtij funksioni dhe në territorin ballkanik, politika e të cilit ndikohej sigurisht edhe nga familja dinastike e Gjikajve.
Deri në vitet 1700, (sic përshkruhet në pjesën Rumania para fanariotëve) identiteti personal i rumunëve përcaktohej nga vendbanimi (fshati), feja (ortodokse apo myslimane) dhe klasa (bujar apo fshatar). Ndërgjegjësimi për identitetin etnik u rrit si rrezultat i ndikimit të faktorëve të jashtëm e të brendshëm. Hapi i parë ishte ndërgjegjësimi për konfliktin me grekët fanariotë.
Në këtë liber, autorja i kushton vëmendje jo thjesht interesit politik, por edhe kuptimit e veprimit të vektorëve që asistuan procesin e krijimit te shtetit duke ndalur tek fakti qe Revolucioni grek kishte një ndikim të madh mbi Rumaninë. Ngjarjet e 1821-shit treguan haptas që bujarët rumunë kujdeseshin për interesat e tyre dhe nuk synonin ta ndërronin sundimin turk me atë grek.
Brenda këtij libri pjesë e shqyrtimit janë edhe aspektet e fqinjësisë, duke faktuar përparësitë dhe mangësitë e familjes dinastike në marrëdhëniet mes vedi e me fqinjët.
Në fund te librit, trajtohet struktura administrative etnike dhe dinastike e shtetit, ku hyn në lojë edhe territori si aspekt me peshë i kombit..
Prof.as.dr. Mark Marku në fjalën e tij u përqëndrua kryesisht në aspektin publicistik të punës së Elena Gjikës, marrëdhëniet e saj më emrat më të njohur të Rilindjes shqiptare dhe sidomos kontributin e intelektualëve shqiptarë të cilët botuan jo vetëm vëprat e tyre në Rumani, por po ashtu edhe zhvillimin e shtypit shqiptar në Rumani.