<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Pedagogë të fakultetit tonë morën pjesë në Kongresin II të Studimeve Osmane, që i zhvilloi punimet më 17– 20 tetor 2018, në Tirana Internacional Hotel, në Tiranë. Kongresi erdhi si rezultat i bashkëpunimit të Departamentit të Historisë së Fakultetit të Historisë e të Filologjisë me Departamentin e Historisë të Universitetit të Sakarjas dhe Institutin e Historisë Turke në Turqi. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Ambasadori i Republikës së Turqisë Murat Ahmet Yörük, Drejtori i Institutit të Historisë Turke në Ankara Prof. dr. Refik Turan, personalitete shkencore dhe studiues të ardhur nga 12 vende të ndryshme të botës.
Nga dt. 9 – 22 qershor 2018, Departamenti i Historisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilloi ciklin e ekspeditave mësimore në qendra muzeore dhe site historike e arkeologjike të vendit, në kuadër të programi mësimor të sistemit Bachelor. Ekspeditat kishin për qëllim njohjen nga afër të studentëve me dëshmitë historike dhe trashëgiminë kulturore të popullit tonë përgjatë shekujve. Me këtë rast, i shprehim falenderime Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e vizitave të studentëve tanë në institucionet e trashëgimisë kulturore të vendit.
Si pjesë e projektit të përbashkët të Departamentit të Historisë dhe Perform Helvetas të titulluar "Kërkimi shkencor në kuadër të një shoqërie dinamike", në datën 22 shkurt është organizuar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë leksioni i profesorit dhe historianit të njohur Bernd Fischer. Profesor Fischer prezantoi temën "Sfidat metodologjike në trajtimi e historisë së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri". Leksioni u ndoq me interes nga studentë e pedagogë të FHF.