<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë organizoi ditën e enje, datë 15.11.2018, ora 12:00, në “Amfiteatrin e Tiranës”, (Teatri i Hapur) Parku i Madh i Liqenit Tiranë, Ceremoninë e Diplomimit të Studentëve për vitin akademik 2017-2018, të ciklit të parë Bachelor dhe ciklit të dytë Master.
Në datën 05. 11. 2018 studentët e vitit të parë Bachelor, të degës së Historisë, në fakultetin tonë, patën një leksion të hapur me profesorin e shquar shqiptaro – amerikan, Nikolla Pano. Leksioni pati në fokus vlerën e historisë si shkencë në shoqëritë teknologjike. Interesi i studentëve ishte i madh për tema si: diaspora shqiptare e Amerikës, organizimi dhe kontributi i saj në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, figurat dhe personalitetet më të rëndësishme të saj etj. Gjithashtu, interes dhe pyetje nga studentët pati edhe në lidhje me politikën e jashtme të presidentit amerikan, Donald John Trump.
Përpara fillimit të leksionit prof. Nikolla Pano zhvilloi takimin e mirëseardhjes me dekanin e FHF – së, prof. dr. Sabri Laçi.
Më 15.10.2018, në IAL-të e Republikës së Shqipërisë nisi viti i ri akademik. Për të përshëndetur studentët dhe stafet akademike në këtë ditë të shënuar, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të UT-së erdhi Znj. Lindita NIKOLLA, Ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë dhe Prof. dr. Mynyr KONI, Rektor i Universitetit të Tiranës.
Nga dt. 9 – 22 qershor 2018, Departamenti i Historisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilloi ciklin e ekspeditave mësimore në qendra muzeore dhe site historike e arkeologjike të vendit, në kuadër të programi mësimor të sistemit Bachelor. Ekspeditat kishin për qëllim njohjen nga afër të studentëve me dëshmitë historike dhe trashëgiminë kulturore të popullit tonë përgjatë shekujve. Me këtë rast, i shprehim falenderime Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e vizitave të studentëve tanë në institucionet e trashëgimisë kulturore të vendit.