<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Pedagogë të fakultetit tonë morën pjesë në Kongresin II të Studimeve Osmane, që i zhvilloi punimet më 17– 20 tetor 2018, në Tirana Internacional Hotel, në Tiranë. Kongresi erdhi si rezultat i bashkëpunimit të Departamentit të Historisë së Fakultetit të Historisë e të Filologjisë me Departamentin e Historisë të Universitetit të Sakarjas dhe Institutin e Historisë Turke në Turqi. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Ambasadori i Republikës së Turqisë Murat Ahmet Yörük, Drejtori i Institutit të Historisë Turke në Ankara Prof. dr. Refik Turan, personalitete shkencore dhe studiues të ardhur nga 12 vende të ndryshme të botës.
Më 15.10.2018, në IAL-të e Republikës së Shqipërisë nisi viti i ri akademik. Për të përshëndetur studentët dhe stafet akademike në këtë ditë të shënuar, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të UT-së erdhi Znj. Lindita NIKOLLA, Ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë dhe Prof. dr. Mynyr KONI, Rektor i Universitetit të Tiranës.
Stafi i gazetarëve të Faktoje.al zhvilloi sot një takim me studentë të gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për të prezantuar median më të re fact-check në Shqipëri. Faktoje.al është një media e cila merret me verifikimin e deklaratave të dhëna nga politikanë, zyrtarë të lartë, institucione të rëndësisë së lartë etj. Faktoje.al u referohet gjithmonë burimeve të para dhe verifikon deklarata në të gjitha nivelet e jetës publike për vërtetësi. Gazetarët e Faktoje.al u shprehën përpara studentëve se janë të hapur për bashkëpunime, të cilat do të çojnë më pas në rezultate më frytdhënëse dhë përfitime profesionale për të dyja palët.
Në takim mori pjesë prof. Scott Talan, profesor në Departamentin e Komunikimit, Universiteti Amerikan, Uashington D.C. Në fjalën e tij ai theksoi se “Kam besim të plotë tek Faktoje.al, por mbi të gjitha kam besim tek imazhi (ikona) e gomarit në këtë faqe interneti, për të cilën besoj se shumë shpejt do të kthehet në një meme, do të kthehet në një trend. Bëhuni edhe ju pjesë e ‘’Faktoje’’, pasi është shumë mirë të monitorosh dhe të verifikosh politikanët. Gazetarët e “Faktoje” janë pak më të mëdhenj se ju në moshë, por ju garantoj së janë shumë të zotë në punën që bëjnë. Në të ardhmen ata do të jenë udhëzuesit tuaj se si mund të punoni në gazetarinë fact-check”. Studentët e gazetarisë ishin shumë të interesuar për të ditur më shumë edhe rreth eksperiencave të huaja të fact-chek.
Në datën 25 Maj në Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë se Kulturës u organizua Workshop me temë ‘Trashëgimia Kulturore e Diktaturës: Një zgjerim i Debatit ’. Nëpermjet tij synuam të sjellim në mjedisin akademik të gjitha grupet e interesit të lidhura me këtë çështje për të evidentuar problematikat kryesore dhe qasjet e ndryshme ndaj tyre. Përfaqësues të debatit publik, organizatave jo-qeveritare, Ministrisë së Kulturës dhe botës akademike diskutuan lidhur me gjendjen e sotme të kësaj kategorie të Trashëgimisë së Kulturës dhe gjithë perspektivat lidhur me studimin, ruajtjen dhe promovimin e saj.
Në datat 25.04.18-29.04.18, një grup studentësh dhe lektorësh të Departamenteve Histori dhe Arkeologji e Trashëgimi Kulturore, zhvilluan një vizitë studimore në Universitetin Aristoteli të Selanikut, Greqi. Vizita u mbështet nga Ambasada e Republikës së Greqisë në Shqipëri, nën kujdesin e veçantë të z. Antonis Papamalis.
Gjatë vizitës katër ditore, studentët patën rastin të vizitojnë site të ndryshme historike dhe arkeologjike të Selanikut. Vizita e tyre nisi me sitin arkeologjik të Vergines Aigai, Varri i Filipit të II-të. Më pas studentët vizituan Muzeun Arkeologjik të Selanikut dhe atë të periudhës bizantine. Dita e tretë e vizitës së tyre ishte në ambientet e Universitetit Aristoteli të Selanikut, Fakulteti i Filozofisë dhe ambientet e Bibliotekës së Departamentit të Historisë dhe Arkeologjisë.
Ndërkaq, lektoret e shoqëruar nga profesoresha e Historisë Moderne, znj Eleftheria Manta (e cila ishte pjesë integrale e gjithë vizitës studimore përgjatë gjithë kohës me ekspertizën e saj), u takuan me dekanin e Fakultetit të Filozofisë z. Dimitrios Mavroskoufis dhe me shefin e departamentit të Historisë dhe Arkeologjisë, z. Emmanouil Voutyra. Studentet patën rastin të vizitojnë edhe muzetë e brendshëm të Fakultetit të Filozofisë si edhe muzeun arkeologjik dhe atë etnografik, të Universitetit Aristoteli. Udhëtimi u përmbyll me vizitat në Torren Veneciane dhe në Kalanë e Selanikut.