<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Më datë 30.10.2018, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të UT-së u prezantua Moduli “Arkivi online”, i cili mundëson që çdo dokument të shfrytëzohet nga kompjuteri apo celulari i gjithsecilit.
Me rastin e 100 vjetorit të Republikës së Azerbajxhanit në datën 22.05.2018 në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë u mbajt një leksion nga i ngarkuari me punë i Republikës së Azerbajxhanit z. Eldar Aliyev me temë “Historia e Republikës Demokratike të Azerbajxhanit në vitet 1918- 1920”. Takimi u përshëndet nga dekani i FHF, Prof.dr. Sabri Laçi dhe zv.rektori i Universitetit të Tiranës, Dr. Gentiana Kera. Pas z. Aliyev, studiuesja e historisë Entela Muça foli për “100 vite pavarësi të Azerbajxhanit – histori suksesi”. Aktiviteti u ndoq me shumë interes nga pedagogët dhe studentët e degës së Historisë, të cilët morën pjesë në diskutime dhe pyetje rreth kësaj teme. Ky aktivitet është edhe një mundësi e bashkëpunimit të mëtejshëm arsimor mes dy vendeve.
Në datat 25.04.18-29.04.18, një grup studentësh dhe lektorësh të Departamenteve Histori dhe Arkeologji e Trashëgimi Kulturore, zhvilluan një vizitë studimore në Universitetin Aristoteli të Selanikut, Greqi. Vizita u mbështet nga Ambasada e Republikës së Greqisë në Shqipëri, nën kujdesin e veçantë të z. Antonis Papamalis.
Gjatë vizitës katër ditore, studentët patën rastin të vizitojnë site të ndryshme historike dhe arkeologjike të Selanikut. Vizita e tyre nisi me sitin arkeologjik të Vergines Aigai, Varri i Filipit të II-të. Më pas studentët vizituan Muzeun Arkeologjik të Selanikut dhe atë të periudhës bizantine. Dita e tretë e vizitës së tyre ishte në ambientet e Universitetit Aristoteli të Selanikut, Fakulteti i Filozofisë dhe ambientet e Bibliotekës së Departamentit të Historisë dhe Arkeologjisë.
Ndërkaq, lektoret e shoqëruar nga profesoresha e Historisë Moderne, znj Eleftheria Manta (e cila ishte pjesë integrale e gjithë vizitës studimore përgjatë gjithë kohës me ekspertizën e saj), u takuan me dekanin e Fakultetit të Filozofisë z. Dimitrios Mavroskoufis dhe me shefin e departamentit të Historisë dhe Arkeologjisë, z. Emmanouil Voutyra. Studentet patën rastin të vizitojnë edhe muzetë e brendshëm të Fakultetit të Filozofisë si edhe muzeun arkeologjik dhe atë etnografik, të Universitetit Aristoteli. Udhëtimi u përmbyll me vizitat në Torren Veneciane dhe në Kalanë e Selanikut.