<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Në datën 05. 11. 2018 studentët e vitit të parë Bachelor, të degës së Historisë, në fakultetin tonë, patën një leksion të hapur me profesorin e shquar shqiptaro – amerikan, Nikolla Pano. Leksioni pati në fokus vlerën e historisë si shkencë në shoqëritë teknologjike. Interesi i studentëve ishte i madh për tema si: diaspora shqiptare e Amerikës, organizimi dhe kontributi i saj në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, figurat dhe personalitetet më të rëndësishme të saj etj. Gjithashtu, interes dhe pyetje nga studentët pati edhe në lidhje me politikën e jashtme të presidentit amerikan, Donald John Trump.
Përpara fillimit të leksionit prof. Nikolla Pano zhvilloi takimin e mirëseardhjes me dekanin e FHF – së, prof. dr. Sabri Laçi.
U zhvillua në datat 1 – 2 nëntor në ambientet e Pallatit të Kongreseve sesioni përmbyllës i Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike (9 maj – 2 nëntor, 2018) kushtuar 550 – vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kohës në të cilën jetoi dhe gjurmëve që la në histori. Të pranishëm dhe pjesëmarrës në sesionin përmbyllës ishin personalitete të njohura të fushës akademike, studiues vendës dhe të huaj (nga Italia, Greqia, Maqedonia, USA dhe Kina), si dhe mjaft studentë të Departamentit të Historisë, nga të dy ciklet e studimit (Bachelor: viti I, II, III, Master i Shkencave në Histori: viti II dhe Master Profesional Arkivistikë: viti II). Nën kujdesin e dekanit të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, prof. dr. Sabri LAÇI, fakulteti ynë u përfaqësua nga studiues dhe pedagogë të Departamentit të Historisë dhe Departamentit të Letërsisë.
Pedagogë të fakultetit tonë morën pjesë në Kongresin II të Studimeve Osmane, që i zhvilloi punimet më 17– 20 tetor 2018, në Tirana Internacional Hotel, në Tiranë. Kongresi erdhi si rezultat i bashkëpunimit të Departamentit të Historisë së Fakultetit të Historisë e të Filologjisë me Departamentin e Historisë të Universitetit të Sakarjas dhe Institutin e Historisë Turke në Turqi. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Ambasadori i Republikës së Turqisë Murat Ahmet Yörük, Drejtori i Institutit të Historisë Turke në Ankara Prof. dr. Refik Turan, personalitete shkencore dhe studiues të ardhur nga 12 vende të ndryshme të botës.
Më 15.10.2018, në IAL-të e Republikës së Shqipërisë nisi viti i ri akademik. Për të përshëndetur studentët dhe stafet akademike në këtë ditë të shënuar, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të UT-së erdhi Znj. Lindita NIKOLLA, Ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë dhe Prof. dr. Mynyr KONI, Rektor i Universitetit të Tiranës.
Me rastin e 100 vjetorit të Republikës së Azerbajxhanit në datën 22.05.2018 në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë u mbajt një leksion nga i ngarkuari me punë i Republikës së Azerbajxhanit z. Eldar Aliyev me temë “Historia e Republikës Demokratike të Azerbajxhanit në vitet 1918- 1920”. Takimi u përshëndet nga dekani i FHF, Prof.dr. Sabri Laçi dhe zv.rektori i Universitetit të Tiranës, Dr. Gentiana Kera. Pas z. Aliyev, studiuesja e historisë Entela Muça foli për “100 vite pavarësi të Azerbajxhanit – histori suksesi”. Aktiviteti u ndoq me shumë interes nga pedagogët dhe studentët e degës së Historisë, të cilët morën pjesë në diskutime dhe pyetje rreth kësaj teme. Ky aktivitet është edhe një mundësi e bashkëpunimit të mëtejshëm arsimor mes dy vendeve.
Në kuadër të projektit Erasmus+ për mobilitet të stafit akademik, në Departamentin e Gjeografisë nga data 11 Prill – 13 Prill 2018, Profesor John Kiousopoulos nga Universiteti i West Attica, Greqi. Ai ka nje karrierre të gjatë në mësimdhënie dhe veprimtari shkencore, si: Arkitekt Inxhinier, Planifikues Urban dhe Hapësinor, Inxhinierik, Shef i Laboratorit të Analizës Hapësinore, Anëtar i Bordit të Shoqatës së Planifikuesve Urbanë dhe Rajonal të Greqisë. Ishte një bashkëpunim i suksesshëm, ku studentët ishin shumë të interesuar dhe aktiv gjatë trajtimit të tematikave të trajtuara në leksione të zhvilluara në ciklin e studimeve Bachelor, Master Profesional dhe Master Shkencor. Program axhenda dhe tematikat e zhvilluara në leksione si mëposhtë:
“Urban Planning” – 11 Prill 2018
“Calculating Human Impact Along Coastal Areas” – 11 Prill 2018
“Marine Spatial Planning”- 12 Prill 2018
“Spatial Planning” - 13 Prill 2018
Përtej bashkëpunimit tonë të përgjithshëm shkencor, u shqyrtuan mundësi zgjerimi për hulumtime (dokumente / projekte të përbashkëta).
Si pjesë e projektit të përbashkët të Departamentit të Historisë dhe Perform Helvetas të titulluar "Kërkimi shkencor në kuadër të një shoqërie dinamike", në datën 22 shkurt është organizuar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë leksioni i profesorit dhe historianit të njohur Bernd Fischer. Profesor Fischer prezantoi temën "Sfidat metodologjike në trajtimi e historisë së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri". Leksioni u ndoq me interes nga studentë e pedagogë të FHF.