<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Më datë 30.10.2018, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të UT-së u prezantua Moduli “Arkivi online”, i cili mundëson që çdo dokument të shfrytëzohet nga kompjuteri apo celulari i gjithsecilit.
Pedagogë të fakultetit tonë morën pjesë në Kongresin II të Studimeve Osmane, që i zhvilloi punimet më 17– 20 tetor 2018, në Tirana Internacional Hotel, në Tiranë. Kongresi erdhi si rezultat i bashkëpunimit të Departamentit të Historisë së Fakultetit të Historisë e të Filologjisë me Departamentin e Historisë të Universitetit të Sakarjas dhe Institutin e Historisë Turke në Turqi. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Ambasadori i Republikës së Turqisë Murat Ahmet Yörük, Drejtori i Institutit të Historisë Turke në Ankara Prof. dr. Refik Turan, personalitete shkencore dhe studiues të ardhur nga 12 vende të ndryshme të botës.
Më 15.10.2018, në IAL-të e Republikës së Shqipërisë nisi viti i ri akademik. Për të përshëndetur studentët dhe stafet akademike në këtë ditë të shënuar, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të UT-së erdhi Znj. Lindita NIKOLLA, Ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë dhe Prof. dr. Mynyr KONI, Rektor i Universitetit të Tiranës.
Si pjesë e projektit të përbashkët të Departamentit të Historisë dhe Perform Helvetas të titulluar "Kërkimi shkencor në kuadër të një shoqërie dinamike", në datën 22 shkurt është organizuar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë leksioni i profesorit dhe historianit të njohur Bernd Fischer. Profesor Fischer prezantoi temën "Sfidat metodologjike në trajtimi e historisë së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri". Leksioni u ndoq me interes nga studentë e pedagogë të FHF.