<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Sot në ambientet e FHF, me studentët e historisë, lektorja e Universitetit Aristoteli të Selanikut, prof.as.dr. Eleftheria Mantha. Një temë tejet interesante; “Iluminizmi grek në prag të Revolucionit të 1821-shit”, ngjalli kërshërinë e studentëve dhe pedagogëve të pranishëm.
Nga dt. 9 – 22 qershor 2018, Departamenti i Historisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilloi ciklin e ekspeditave mësimore në qendra muzeore dhe site historike e arkeologjike të vendit, në kuadër të programi mësimor të sistemit Bachelor. Ekspeditat kishin për qëllim njohjen nga afër të studentëve me dëshmitë historike dhe trashëgiminë kulturore të popullit tonë përgjatë shekujve. Me këtë rast, i shprehim falenderime Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e vizitave të studentëve tanë në institucionet e trashëgimisë kulturore të vendit.
Në datën 25 Maj në Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë se Kulturës u organizua Workshop me temë ‘Trashëgimia Kulturore e Diktaturës: Një zgjerim i Debatit ’. Nëpermjet tij synuam të sjellim në mjedisin akademik të gjitha grupet e interesit të lidhura me këtë çështje për të evidentuar problematikat kryesore dhe qasjet e ndryshme ndaj tyre. Përfaqësues të debatit publik, organizatave jo-qeveritare, Ministrisë së Kulturës dhe botës akademike diskutuan lidhur me gjendjen e sotme të kësaj kategorie të Trashëgimisë së Kulturës dhe gjithë perspektivat lidhur me studimin, ruajtjen dhe promovimin e saj.
Me rastin e 100 vjetorit të Republikës së Azerbajxhanit në datën 22.05.2018 në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë u mbajt një leksion nga i ngarkuari me punë i Republikës së Azerbajxhanit z. Eldar Aliyev me temë “Historia e Republikës Demokratike të Azerbajxhanit në vitet 1918- 1920”. Takimi u përshëndet nga dekani i FHF, Prof.dr. Sabri Laçi dhe zv.rektori i Universitetit të Tiranës, Dr. Gentiana Kera. Pas z. Aliyev, studiuesja e historisë Entela Muça foli për “100 vite pavarësi të Azerbajxhanit – histori suksesi”. Aktiviteti u ndoq me shumë interes nga pedagogët dhe studentët e degës së Historisë, të cilët morën pjesë në diskutime dhe pyetje rreth kësaj teme. Ky aktivitet është edhe një mundësi e bashkëpunimit të mëtejshëm arsimor mes dy vendeve.
Sot në Forumin “Humanities” me Prof.Asoc.Dr Florian Schaffenrath dhe Mag. Stefan Zathammer nga Universiteti i Insbrukut u diskutua mbi botimin në gjuhën gjermane të librit të Marlin Barletit “Rrethimi i Shkodrës”, kontributin e Marin Barletit në humanizmin evropian si edhe perspektivat dhe mundësitë në fushën e studimeve neo-latine. Faleminderit studentëve dhe pedagogëve që me pjesmarrjen dhe angazhimin e tyre kontribuan në një bisedë shumë interesante dhe të frytshme.