<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<
Sot në ambientet e FHF, me studentët e historisë, lektorja e Universitetit Aristoteli të Selanikut, prof.as.dr. Eleftheria Mantha. Një temë tejet interesante; “Iluminizmi grek në prag të Revolucionit të 1821-shit”, ngjalli kërshërinë e studentëve dhe pedagogëve të pranishëm.
Në datën 05. 11. 2018 studentët e vitit të parë Bachelor, të degës së Historisë, në fakultetin tonë, patën një leksion të hapur me profesorin e shquar shqiptaro – amerikan, Nikolla Pano. Leksioni pati në fokus vlerën e historisë si shkencë në shoqëritë teknologjike. Interesi i studentëve ishte i madh për tema si: diaspora shqiptare e Amerikës, organizimi dhe kontributi i saj në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, figurat dhe personalitetet më të rëndësishme të saj etj. Gjithashtu, interes dhe pyetje nga studentët pati edhe në lidhje me politikën e jashtme të presidentit amerikan, Donald John Trump.
Përpara fillimit të leksionit prof. Nikolla Pano zhvilloi takimin e mirëseardhjes me dekanin e FHF – së, prof. dr. Sabri Laçi.
U zhvillua në datat 1 – 2 nëntor në ambientet e Pallatit të Kongreseve sesioni përmbyllës i Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike (9 maj – 2 nëntor, 2018) kushtuar 550 – vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kohës në të cilën jetoi dhe gjurmëve që la në histori. Të pranishëm dhe pjesëmarrës në sesionin përmbyllës ishin personalitete të njohura të fushës akademike, studiues vendës dhe të huaj (nga Italia, Greqia, Maqedonia, USA dhe Kina), si dhe mjaft studentë të Departamentit të Historisë, nga të dy ciklet e studimit (Bachelor: viti I, II, III, Master i Shkencave në Histori: viti II dhe Master Profesional Arkivistikë: viti II). Nën kujdesin e dekanit të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, prof. dr. Sabri LAÇI, fakulteti ynë u përfaqësua nga studiues dhe pedagogë të Departamentit të Historisë dhe Departamentit të Letërsisë.
Më 15.10.2018, në IAL-të e Republikës së Shqipërisë nisi viti i ri akademik. Për të përshëndetur studentët dhe stafet akademike në këtë ditë të shënuar, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të UT-së erdhi Znj. Lindita NIKOLLA, Ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë dhe Prof. dr. Mynyr KONI, Rektor i Universitetit të Tiranës.
Kërkimi i aplikuar në terren (ekspedita), për nivelin e studimeve Bachelor Gjeografi ne Universitetin e Tiranes, u zhvillua gjatë periudhës 12.05.2018-18.05.2018, në rajone të ndryshme të vëndit. Studentet e programit Bachelor, Departamenti i Gjeografisë, studiuan zona dhe dukuri te ndryshme fizike, mjedisore, sociale, dhe ekonomike. Disa nga objektet kryesore të punës së tyre aplikative në terren ishin Shpella e Pëllumbasit në Tiranë, Lugina e Valbonës në Bajram Curri, Laguna e Patokut, Burimet e Drilonit, Lini dhe Liqeni i Ohrit, Qafa e Priskes dhe Ujrara e Shëngjergjit në Tiranë, Liqeni i Fierzës dhe qyteti i Kukësit, etj.
Në programin Bachelor kërkimi i aplikuar në terren zhvillohet 7 ditë dhe konsiston kryesisht në njohjen dhe studimin e fenomeneve gjeografike në rajone të caktuara gjeografike të vendit tone. Kjo praktikë është kryesisht stacionare dhe orientohet në studimin e problemeve të veçanta mbi faktoret dhe kushtet fiziko-gjeografike, etj, të mjedisit gjeografik, mbi zhvillimin demografik, ekonomik, social, etj që hasen në zona të caktuara të vendit tonë.
Sot në Forumin “Humanities” me Prof.Asoc.Dr Florian Schaffenrath dhe Mag. Stefan Zathammer nga Universiteti i Insbrukut u diskutua mbi botimin në gjuhën gjermane të librit të Marlin Barletit “Rrethimi i Shkodrës”, kontributin e Marin Barletit në humanizmin evropian si edhe perspektivat dhe mundësitë në fushën e studimeve neo-latine. Faleminderit studentëve dhe pedagogëve që me pjesmarrjen dhe angazhimin e tyre kontribuan në një bisedë shumë interesante dhe të frytshme.