Menu:

Të drejtat dhe detyrat e studentëve

Të drejtat:
Të ndjekë leksione, seminare dhe të gjitha veprimtaritë e tjera mësimore, të organizuara në përputhje me statusin e tij; Më shume...

Detyrat:
1. Të njohë me hollësi rregulloren e fakultetit/institutit e detyrimet që lindin dhe të jetë i vetëdijshëm për zbatimin e tyre; në të kundërt shkolla nuk mban përgjegjësi për pasojat që mund të rrjedhin nga mosnjohja e tyre; Me shume...

 

Proçesi i Bolonjës

Procesi i Bolonjës është një program veprimi i njehsuar që përfshin:
Diploma të krahasueshme dhe të konvertueshme në të gjithë hapësirën evropiane.
Një sistem studimi të bazuar në dy cikle:
Diploma Universitare (jo më pak se tre vjet) dhe
Master (jo më pak se dy vjet)
Zbatimin e sistemit të krediteve
Sigurimin e cilësisë në nivel institucional, kombëtar dhe evropian.
Zhvillimin e lëvizjeve të studentëve dhe pedagogëve, si dhe bashkëpunimin midis universiteteve në nivel kombëtar, rajonal dhe evropian.

Cilët janë titujt e diplomave sipas Procesit së Bolonjës

Diplomë Universitare (D.U) me kohëzgjatje jo më pak se tre vjet, ku studenti duhet të fitojë 20 – 30 module, të cilët vlerësohen me 180 pikë kredite.
Shembull: Diplomë Univerisitare – Matematikan.
Master me kohëzgjatje 2 vjet ku studenti, pasi ka marrë DU-në, do të fitojë 120 pikë kredite të tjera në një drejtim të caktuar dhe të mbrojë një mikrotezë.
Shembull: Master – Gjenetikë e popullatave.
. Doktor (Dr)
Me kohëzgjatje jo më pak se 3 vjet, ku i diplomuari Master vazhdon në përgjithësi në rrugë individuale studimet dhe mbron një temë shkencore.
. Diplomë e Specialitetit (DS)
Me kohëzgjatje 1 – 3 vjet. Kjo diplome jepet për degët e mësuesisë (Diplomë e Mësuesit, D M), kohëzgjatja e së cilës mendohet të jetë një-vjeçare.

Disa veçori të reja të Diplomës Universitare

  • Një vit akademik përbëhet nga 30 javë mësimore, ku çdo javë studenti do të zhvillojë rreth 20 – 30 orë 60 minutëshe në auditor. Modulin qe s’e ka fituar, si rregull, studenti është i detyruar ta përsërisë vitin pasardhës.
  • Studenti vazhdon studimet me frekuentim të detyruar dhe pjesëmarrja e aktivizimi i tij në mësim ka peshë në vlerësimin me notë të modulit.
  • Lëshimi i Diplomës Universitare (DU) shoqërohet me një Diplomë Shtesë, në të cilën shënohen modulet me kreditet dhe notën përkatëse të studentit, si dhe sipas një sistemi vlerësimi, të quajtur ECTS.
  • Në Diplomën Shtesë jepen të dhëna për studentin, për numrin e krediteve të formimit të detyrueshëm bazë, të krediteve të detyrueshme të specialitetit, të krediteve të lëndëve me zgjedhje, të krediteve të gjuhës së huaj (p.sh. 6 kredite), si dhe të aktiviteteve të tjera formuese e të provimit përfundimtar.

 

Disa nga ndryshimet që do të sjellë Procesi i Bolonjës në Universitetet Shqiptare

Së pari, studenti konsiderohet si një punonjës me 40 orë pune në javë dhe, si i tillë, ai do të plotësojë detyrat e tij në frekuentim e përgatitje. Në këtë proces, ai do të ndihmohet nga një pedagog kujdestar, i cili mban lidhje me studentët, si dhe nga gjithë pedagogët, të cilët janë të detyruar të zhvillojnë rregullisht konsultime.
Së dyti, marrja e një specialiteti në këto kurrikula e lë të lirë studentin të zgjedhë gjatë dhe mbas jetës universitare module dhe drejtime formuese sipas kërkesave të tregut.
P.sh.; një student që ka mbaruar një degë në shkencat teknike apo bujqësore mund të ndjekë Diplomën e Mësuesisë, etj.
Së treti, lëvizjet e studentëve nga një universitet në tjetrin, nga një shtet në tjetrin është një normë e shoqërisë së ardhme në hapësirën evropiane. Nga ky këndvështrim merr një rëndësi të veçantë integrimi kulturor dhe njohja e gjuhëve të huaja.
Së katërti, do të kryhet kontrolli i cilësisë në nivelin institucional, kombëtar e evropian në bazë të kritereve dhe standardeve të caktuara. Ky kontrolli i cilësisë ndërgjegjëson nga njëra anë studentin dhe nga ana tjetër universitetet, të cilat janë të detyruara të ngrenë zyrat e vlerësimit dhe të vetëvlerësohen. Praktika e akreditimit të universiteteve është alternativa bazë e funksionimit të tyre.

Të rejat që sjell Procesi i Bolonjës në sistemin e kërkim zhvillimit në Universitetet Shqiptare

Së pari, zbatimi i kësaj reforme kërkon një ristrukturim administrativ të institucioneve formuese e shkencore. Mund të justifikohet mbajtja e një institucioni si shërbim kombëtar (statistika, meteologjia, veterinaria, etj.), si qendër e studimeve të avancuara "par excellence" ose si qendër e studimeve albanologjike. Në të kundërt, institutet e shumta dhe sistemi i dispersisë së tyre bëhet dhe në fakt është bërë një barrë shoqërore.
Së dyti, përafrimi i universiteteve tona me ato evropiane në bazë të Procesit të Bolonjës krijon mundësi dhe hapësira të reja në sistemin kërkim zhvillim. Krijimi i ciklit të dytë në arsimin e lartë, d.m.th. prania e studentëve që vazhdojnë studimet për Master dhe e atyre që mbrojnë gradën Doktor pranë Departamenteve, rrit ndjeshëm dhe në mënyrë reale kontigjentin e studiuesve në institucionet arsimore. Tashmë pranë Departamenteve krijohet një fuqi e papaguar fizike dhe mendore.
Së treti, misioni i bashkëpunimit midis universiteteve sipas Procesit të Bolonjës, krijon mundësi të reja për arsimin, si një e mirë publike në kuadrin e transferimeve teknologjike për ekonominë e tregut. Fuqizimi intelektual i universiteteve i bën këta të fundit të gëzojnë një feadback pozitiv në fuqizimin financiar dhe e kundërta.

9 hapat e Bolonjës

Studimet universitare në Evropë janë duke iu nënshtruar një ndryshimi të rëndësishëm. Institucionet evropiane të arsimit të lartë kanë pranuar sfidën për të pasur një rol kryesor në ndërtimin e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë, nëpërmjet realizimit të procesit të Bolonjës, që numëron deri sot nëntë hapa të rëndësishëm dhe ku dokumentet më të rëndësishme janë:

    1. Magna Charta Universitatum: “Mbi rolin që duhet të luajnë Universitetet në një shoqëri gjithnjë e më të ndërkombëtarizuar” (Bolonjë, 18 Shtator 1988).

    2. Konventa e Lisbonës: “Për njohjen e kualifikimeve profesionale të arsimit të lartë në rajonin e Evropës” përpiluar nga KE dhe UNESCO (8 -11 Prill 1997).

    3. Deklarata e Sorbonës: ‘Harmonizimi i arkitekturës së sistemit të arsimit të lartë evropian” Paris, Sorbonne, 25 Maj 1998)

    4. Deklarata e Bolonjës: “Ndërtimi i Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë” (Bolonjë, 19 Qershor 1999).

    5. Kongresi i Salamankës: “Formimi i Hapësirës Evropiane të Shkollimit të Lartë” Salamanka, 29 - 30 Mars 2001.

    6. Mbledhja e Ministrave Evropianë të arsimit të lartë në Pragë: “Riafirmimi i objektivit të krijimit të fushës së arsimit të lartë evropian deri në 2010” (Pragë, 19 Maj 2001).

    7. Konferenca e Berlinit: “Për realizimin e një Zone koherente e kohezive Evropiane të Arsimit të Lartë deri në vitin 2010” Berlin 19 Shtator 2003.

    8. Konferenca e Bergenit (18 maj 2005) e cila i kushtoi një rëndësi të veçantë tri niveleve të studimit ku përparësi të veçantë merr sigurimi i cilësisë.

    9. Hapi i nëntë ishte Komunikata e Londrës (16-18 maj 2007).

Përveç këtyre dokumenteve rëndësi ka “Deklarata Botërore mbi Shkollimin e Lartë”, e cila ka dalë nga Konferenca Botërore për shkollimin e lartë në Paris 5 – 9 tetor 1988.

Procesi i Bolonjës është produkt dhe vazhdimësi i serive të konferencave Evropiane dhe një numri vendosjesh të politikave që kanë për qëllim krijimin e HEAL deri në 2010.
Duke paraqitur etapat kryesore të procesit të Bolonjës, duhen përmendur së pari, pesë konferencat e Ministrave të Arsimit që janë mbajtur deri tani (në Sorbonë 1998, në Bolonjë 1999, në Pragë 2001 dhe në Berlin 2003 dhe Bergen 2005). Përveç këtyre, në Mars 2001 pati dy ngjarje të veçanta që u mbajtën para konferencës së Ministrave: një konventë akademike në Salamanka dhe një konventë studentore në Gotenborg. Të gjitha këto ngjarje u kurorëzuan me deklarata dhe komunikata politike të procesit, që përvijojnë rrugët drejt Epokës së Arsimit të Lartë Europian.
Pra, pesë ciklet kryesore të Procesit të Bolonjës janë ato të Paris-La Sorbonne (25 Maj 1998), Bologna (19 Qershor 1999), Prague (19 maj 2001) dhe Berlin (18-19 Shtator 2003) dhe Bergen (19-20 maj 2005).

Deklarata e Paris-La Sorbonne

Premisat për procesin e Bolonjës u krijuan në Deklaratën e  Paris-La Sorbonne në Harmonizimin e Arkitekturës të Sistemit të Arsimit të Lartë Evropian të nënshkruar në Maj 1998 nga Ministrat e Arsimit të katër shteteve: Francë, Gjermani, Itali dhe Mbretëri e Bashkuar.

Paris - La Sorbonne përfshin tre parime:

  1. Lehtësimin e lëvizjes së studentëve në hapësirën evropiane dhe integrimin e tyre në tregun evropian të punës, si dhe lëvizjen e pedagogëve;

  2. Përmirësimin e transparencës ndërkombëtare të kurseve dhe njohjen e kualifikimeve, në kuptimin e konvergjencës graduale në drejtim të kuadrit të përbashkët të kualifikimeve dhe cikleve të studimit;

  3. Inkurajimi i kthimit për studimet ose vazhdimi i tyre në të njëjtin institucion ose në një institucion tjetër në të njëjtin shtet ose nëpërmjet rregullimit të lëvizjes evropiane.

Bologna, 19 Qershor 1999

Një vit më vonë (qershor 1999), u nënshkrua Deklarata e Bolonjës për një Hapësirë Europiane të Arsimit të Lartë, e cila ishte inspiruar shumë nga Deklarata e Sorbonës. Përveç aspekteve që përmban ajo, një tipar i ri ishte zgjerimi i debatit, që tani kishte 29 shtete nënshkrues ( 15 Shtete Anëtare të BE, 3 vende të EFTA-s, Irlanda, Norvegjia dhe Zvicra, si dhe 11 vendet kandidate) dhe përfshinte institucione të tilla si Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe shoqata universitetesh, rektorë dhe studentë evropianë. Objektivat kryesore që u përcaktuan ishin:

  1. Adoptimi i një sistemi të gradeve shkencore të njohura me lehtësi dhe të krahasueshme, gjithashtu përmes Plotësimit të Diplomave, me qëllim që të nxitet aftësia për punësim e qytetarëve evropianë dhe konkurenca ndërkombëtare e sistemit evropian të arsimit të lartë.

  2. Adaptimi i një sistemi kryesisht të bazuar në dy cikle kryesore, universitare dhe të diplomuar me grada shkencore. Përdorimi i ciklit të dytë do të kërkojë plotësimin e sukseshëm të ciklit të parë të studimeve, që zgjat në një minimum prej tre vjetësh. Grada shkencore që jepet mbas ciklit të parë do të njihet në tregun evropian të punës si një nivel i përshtatshëm kualifikimi. Cikli i dytë do të çojë në titullin master dhe/ose doktoratë si në shumë vende Europiane.

  3. Vendosja e sistemit të krediteve –te tilla si sistemi ECTS - si një mjet i përshtatshëm për nxitjen e lëvizshmërisë më të gjerë të studentëve. Kreditet gjithashtu mund të përftohen dhe në kontekstin e arsimit jo-të lartë, duke përfshirë të mësuarit gjatë gjithë jetës, duke siguruar që ato të njihen nga universitetet e interesuara.

  4. Promovimi i lëvizshmërisë duke kapërcyer pengesa drejt të ushtruarit të efektshëm të lëvizjes së lirë, me vëmendje të veçantë ndaj:

    1. studentëve, mundësi për studim, trainim dhe shërbime që lidhen me to,

    2. për pedagogë, kërkues dhe staf administrativ, njohje e periudhave të harxhuara në konkurimet kërkimore Europiane, mësimdhënie dhe trainim, pa paragjykuar të drejtat e tyre statuore.

  5. Promovimi i bashkëpunimit evropian në sigurimin e cilësisë me synim zhvillimin e kritereve dhe metodologjive krahasuese.
  6. Promovimi i dimensioneve të nevojshme evropiane në arsimin e lartë, veçanërsht në lidhje me zhvillimin e kurrikulës, bashkëpunimit ndër-institucional, skemave të lëvizshme dhe programeve të integruara të studimit, trainimit dhe kërkimit.

Konferenca e Pragës

Në Maj 2001, u mbajt Konferenca e Pragës, e cila përfshinte të njëjtat kategori pjesëmarrësish, tani me 33 Shtete nënshkruese (pjesëtarët e rinj ishin Litenshtejn, Qipro, Kroacia dhe Turqia). Qëllimi i kësaj konference ishte të vlerësonte progresin e arritur tashmë (në mënyrë të veçantë në bazë të raporteve kombëtare) dhe identifikimi i parimeve kryesore ku duhej të drejtohej procesi i Bolonjës në vitet në vazhdim. Ndërsa konferenca e Pragës konfirmoi nevojën e vazhdimit të qëllimeve të vendosura në Deklaratën e Bolonjës, ajo megjithatë shtoi rëndësinë e tre çështjeve të veçanta.

Tre çështjet specifike të theksuara nga Konferenca e Pragës:

  1. Të mësuarin gjatë të gjithë jetës;

  2. Përfshirja e institucioneve të arsimit të lartë dhe studentëve si partnerë aktivë;

  3. Nevojën e rritjes së atraktivitetit (tërheqjes) së HEAL.

Konferenca e Berlinit

Në 18 - 19 Shtator 2003 ministra të arsimit dhe shkencës nga çdo vend i Evropës (përfshi Rusinë dhe Turqinë) u takuan në Berlin, për të vendosur për të ardhmen e procesit të Bolonjës, një proces që do ta transformojë arsimin e lartë në çdo vend Evropian dhe do të krijojë “Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë” në vitin 2010. Në këtë konferencë u pranua si anëtar edhe vendi ynë me nënshkrimin e marrëveshjes nga ministri Memushi.Në shumicën e vendeve, kjo thuajse ka ndikuar në strukturën e përgjithshme të kualifikimeve, paraqitjen e ndryshimin e sistemit të krediteve të transferueshme me vlerësime të reja.
Në takimin më të fundit në Berlin, në Shtator 2003, 40 vende nënshkruan dokumentin, ku vendet Europiane të lëna jashtë procesit ishin vetëm Ukraina dhe Bjellorusia. Në Berlin, ministrat gjithashtu ranë dakort të zgjerojnë “sistemin me dy cikle” në “sistem me tre cikle”, duke përfshirë kështu studimet e doktoraturës si cikli i tretë në procesin e Bolonjës. Ministrat përgjegjës për arsimin e lartë në Berlin rishikuan progresin e arritur, për të shpejtuar realizimin e HEAL, dhe për të vendosur prioritete dhe objektiva të reja për vitet e ardhshme, me qëllim përmirësimin e karakteristikave sociale të saj, si dhe forcimin e kohezionit social dhe reduktimin e pabarazisë sociale dhe gjinore në nivel Evropian. Në këtë kontekst, ministrat ripohuan qendrimin e tyre se arsimi është një e mirë publike dhe përgjegjësi publike.

Universitetet si institucione legale kanë nevojë për autonomi dhe duhet të jenë të përgjegjshëm për: planifikim strategjik, percaktim të objektivave dhe prioriteteve; alokimin e fondeve; zgjedhjen e partnereve mbi bazë lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, në punë kërkimore dhe në mësimdhënie; zgjedhja e fushave kërkimore; përcaktimi i kurrikulës; menaxhimi i kapitalit njerëzor, punësimi i profesorëve në veçanti; përcaktimi i regullave të pranimit për studentët.